Friday 16 October 2009

Projekti i rruges se Arberit - e cila kalon ne Komunen e Dajtit

Rruga e Arbrit është përdorur gjerësisht në kohën e Gjon Kastriotit dhe birit të tij Skënderbeut. Kjo rrugë që kalonte afër kalasë së Petralbës, në Gur të Bardhë, lidhte këtë kala të rëndësishme më kalanë e Stelushit, me atë të Sfetigradit, të Petrelës dhe atë të Krujës

Rruga e Arbrit ka qenë rrugë e vjetër më rëndësi krahas rrugës Egnatia. Ajo njihet si rruga Durrës – Fusha e Arbërit (Tiranë) – Mat – Dibër. Kjo rrugë kalonte nëpër territorin e shtetit të Arbërit, që siç dihet nga historia shtrihej nga Mirdita e sotme, përfshinte Matin, Çermenikën, Tomadhen, Benden, fushën e Tiranës e të Krujës dhe deri në Elbasan, pa përfshirë një brez bregdetar ne të dy anët e qytetit të Durrësit.
Kjo rrugë njihet që në shekullin e parë në kohën e romakëve. Por në Mesjetë mori rëndësi edhe me ndërhyrjen e venedikasve, ajo edhe rinovohej herë mbas here, duke ndërtuar mure mbrojtëse, ura të stilit venecian etj. Rruga për arsye të thyerjeve të terrenit shfrytëzohej për karvane dhe atje ku ishte e përshtatshme shfrytëzohej me karro të tërhequra me kafshë (kuaj e qe).
Kjo rrugë shërbente në mënyrë të veçantë për tregtinë me Venedikun, Raguzën, Romën etj., me vendet lindore të Adriatikut. Për këtë dëshmojnë edhe dy dokumente të vjetra: E para në fillim të shekullit të XIII-të, ku Dhimitri “Princi i madh i Arbrit” garanton kalim të sigurt në tokat e tij, pra nëpër rrugën e Arbrit. E dyta është e vitit 1429, e cila është firmosur nga Gjon Kastrioti dhe bijtë e tij, ku figuron dhe Gjergj Kastrioti. Rruga e Arbrit është përdorur gjerësisht në kohën e Gjon Kastriotit dhe birit të tij Skënderbeut. Kjo rrugë që kalonte afër kalasë së Petralbës, në Gur të Bardhë, lidhte këtë kala të rëndë sishme më kalanë e Stelushit, me atë të Sfetigradit, të Petrelës dhe atë të Krujës.

Rruga e Arbrit fillon në Durrës, kalon nëpër fushën e Tiranës, në Shkallë të Tujanit, në fshatin Bastar dilte në Qafë Murrizë, kalon nëpër Xibër, në Qafë Shkallë dhe dilte të Pazari i Urës në Klos dhe nëpër Klos katund dilte në Qafë Buall – Bulqizë – Vau i Drinit – Gjoricë – Dibër – Shkup. Kjo rrugë ka vazhduar deri në 1932, kur është hapur rruga automobilistike Krujë Burrel. Që në atë kohë nuk është përdorur më dhe kalldrëmet dhe gjurma e rrugës është prishur.
Qyteti i Tiranës pas vitit 1922 kur filloi të rritet, rrugën që vazhdonte në atë të vjetrën e emëroi Rruga e Dibrës dhe në atë emër është dhe sot. Ndërsa rruga nga jashtë rrethinave të qytetit të Tiranës; Rrapi i Treshit – Brar – Qafë Murizë – Qafë Buall – Dibër quhet Rruga e Arbërit. Leverdia që ka kjo rrugë është se shkurton distancën rreth 100 km, ndërtohet sipas parametrave kohorë, përmirëson jetesën e 1.5 milion banorëve, lidh popullsinë e Maqedonisë Perëndimore e Kosovën me portet e Durrësit dhe të Shëngjinit Lezhë, me Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinë e Kroacinë, duke përtërirë traditat e tregtisë e të bashkëpunimit më shtetet që përbënin Jugosllavinë.
Hapja e kësaj rruge është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Rrugëve që në vitin 2004 dhe ka filluar punimet vitin e kaluar në segmentin Ura e Çernecit deri në Bulqizë, si dhe ka përfunduar projekti Bulqizë – Ura e Vashës në Gur të Bardhë, si dhe vazhdon puna për projektin Ura e Vashës – Qafë Murrizë – Tiranë. Kështu plotësohen kërkesat dhe dëshirat e tërë banorëve të këtyre trevave. Ne gëzohemi shumë për këtë zhvillim të rëndësishëm në favor të zhvillimit ekonomik kulturor të vendit. Por mendojmë se disa probleme që kanë të bëjnë me këto zhvillime të shihen ma mirë, ma me përgjegjësi, ma me perspektivë dhe në kompleks me njëra tjetrën.
Sot në Shqipëri janë dhjetëfishuar automjetet, është dhjetëfishuar sasia e mallrave dhe ka lëvizje të dendur prandaj elementi i parë i zhvillimit është rruga. Ekonomia e tregut sot kërkon të kesh një strategji të hartuar me shumë kujdes, ku të merren parasysh se cili korridor rrugor do të kompletohet më parë me transversalet e tij, cilat nga këto kanë ma tepër leverdi ekonomike, politike, turistike etj., dhe të punohet për të zbatuar dhe jo të ndryshohen planet sa herë ndërrohen qeveritë, siç është edhe rasti i prishjes së hekurudhës Milot - Rrëshen. Kështu vendi ynë do të ketë perspektivë të madhe në shfrytëzimin e resurseve si të mineraleve, prodhimeve bujqësore, blegtorale, pyjore, turizmin malor që është nga ma të përshtatshmit, sepse nga Tirana shkon për një orë në plazh, ashtu si mund të shkosh për klimë të freskët në Qaf- Shtamë ose Qafë Murrizë etj., nëse rrugët do të ishin të përshtatshme.
Rruga e Arbrit, me degëzimet e saj, do të krijojë mundësi për gjallërimin e bujqësisë dhe të industrisë, për mundësinë turistike dhe lëvizjes së njerëzve, si dhe për të përmirësuar aksesin ekonomik të dibranëve dhe të shqiptarëve në atë anë të kufirit deri në Shkup, për të cilën- ato janë shumë të nevojshme. Kjo do të mundësojë zhvillimin e tregut, zhvillimin ekonomik, marrëdhëniet midis trevave shqiptare, stabilitetin social e kulturor të gjithë rajoneve të Shqipërisë.
Duke e ditur se zona e Matit, Bulqizës, Dibrës etj. janë vende me pasuri nëntokësore, sidomos kromeve, rregullimi i rrugëve do të mundësojë interesin e investitorëve të huaj për të shfrytëzuar mineralet e për të hapur vende pune. Ky korridor rrugor Dibër – Qaf Buall – Qafë Murrizë – Tiranë nuk do të kishte të plotë vlerën e saj në rast se traseja e saj nuk do të kalonte në qytetin e Klosit. Prandaj mendojmë dhe propozojmë që të rishikohet projekti i segmentit Bulqizë – Ura e Vashës, duke marrë parasysh shfrytëzimin e tunelit të tranverbangut që është hapur në Klos dhe prej këndej të vazhdojë projekti siç mund të jetë ma i përshtatshëm e ma i leverdishëm. Pra të shfrytëzohen qindra metra tunel dhe të lidhet qyteti i Klosit me rrugën e re.

Mare nga faqja:
http://floart-press.blogspot.com/2009/08/nga-flori-bruqi-via-e-arberit-nje.html

No comments:

Post a Comment